Kujdes me fjalët

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Mos thoni gjithçka ju vjen në mend. Mos reagoni menjëherë ndaj çdo sulmi apo provokimi. Prisni pakëz, kini durim. Mos i përdorni fjalët tuaja për ta shprehur zemërimin, pakënaqësinë. Vendosni të jeni të kujdesshëm me fjalët tuaja. Sidomos mos flisni kur jeni të zemëruar, të trishtuar ose nervoz, sepse atëherë jeni të ndikuar nga nefsi. Në ato raste mund të lëndoni dikë ose do të krijoni ndonjë konflikt. Heshtni kur e keni më të vështirë, me siguri kjo është e vështirë dhe e hidhur, por frytin e ka të ëmbël.

Sa herë që dilni nga shtëpia, thuajini vetes: “Do të jem i kujdesshëm me fjalët”, dhe vendosini vetes kufirin e tolerancës të cilin nuk do ta kaloni. Për këtë çështje kjo lutje është e përshtatshme: “O Zot! Më ruaj nga padrejtësitë që mund t’ua shkaktojë të tjerëve apo që mund të m’i shkaktojnë mua!” [Hadith]

Njerëzit që i lëndojnë të tjerët, e zvogëlojnë shpirtshmërinë ndërsa e rrisin egon e tyre. Nëse lejoni që t’ju mbizotërojë egoja, ju nuk keni kontroll mbi veten. Egoja e pëlqen mllefin, kritikën dhe të qenit në qendër të vëmendjes. Egoja ushqehet me sarkazëm, emocione zhgënjyese dhe kritikë… Askush, sikur edhe ju, nuk pëlqen të ofendohet. Kini kujdes kur jeni të zemëruar mos thoni diçka që mund të dëmtojë ndokënd. Ndonjëherë është më mirë të jesh në paqe sesa në të drejtë.

Aktori i njohur Riçard Gir thotë që ndjehet shumë më mirë dhe më i lumtur kur në vete thotë: “Ju uroj fat”. Mundohuni të tjerëve t’u përcillni dashuri dhe lumturi. Para se të preokupoheni nga emocionet negative për dikë apo për shkak të veprimeve të dikujt tjetër, tërhiquni dhe thoni: “Ju uroj fat”. Ajo për egon është një shuplakë që më me ëndje do të kritikonte dhe zemërohej, prandaj mos bini pre e saj sepse gjithmonë të shpie drejt konflikteve.

Mesazhi për ju: Gjithçka ju dëshironi të tjerëve, kthehet tek ju. Ashtu që kur ju iu dëshironi lumturi dhe gjitha të mirat të tjerëve, njëkohësisht atë e fitoni edhe për vete.

Pohimi: Sot zgjedh të jem i butë për këdo që do të takoj dhe nuk do të ankohem ose kritikoj ndokënd, do të jem i mirëkuptueshëm. Sot do të mbështillem nga dashuria dhe do të fokusohem vetëm në mirësi… Faleminderit Zot!

Shënim: Egoja nuk është burim i gjithçkaje të keqe. Nëse dini se si ta përdorni, mund të jetë e dobishme. Mund të jetë burimi energjie dhe forcë lëvizëse. Përdoreni atë për qëllime konstruktive.

Burimi: “Sretni ljudi” (Njerëzit e lumtur), Alma Taletović
Përktheu: Lutfi Muaremi

[Isl@mpress]

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-